Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë janë pajtuar të takohen ‘rregullisht’ për të ofruar zgjidhje në çështjen e të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë.

Kështu ka thënë udhëheqësi i delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi, pas përfundimit të takimit me palën serbe në Bruksel gjatë ditës së mërkurë.

“Është e rëndësishme që të këmbejmë mbetjet mortore në mënyrë që familjarët e viktimave t’i marrin ato. Por, duhet të shohim se si do ta aranzhojmë këtë pasi pala jonë e ka konfirmuar se nuk do ta pranojë (Velko) Odalloviqin si kryetar i delegacionit” ka thënë Bislimi, transmeton REL.

Ai tha se janë pajtuar që grupet punuese për çështjen e të pagjeturve të takohen rregullisht.

Bislimi gjithashtu tha se takim të radhës në nivel negociatorësh do të ketë në fund të tetorit, për të parë nëse palët do të arrijnë ndonjë përparim, që sipas tij, do të justifikonte mbajtjen e një takimi të nivelit të lartë ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit.

Pas përfundimit të takimit, ndërmjetësuesi evropian Miroslav Lajçak shënoi në Twitter se pozicionet e dy palëve mbesin larg njëra tjetrës.

“Sapo përfunduam dy ditë punë të vështirë dhe bisedime të thella me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë. Pozicionet në një numër të çështjeve urgjente mbeten larg njëra tjetrës. Mbetet shumë punë pë t’u bërë”, ka shkruar Lajçak.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *