Gërvalla: Sot, një hap historik në Bogotá.

Kosova do ta hapë të martën ambasadën e saj në Bogota të Kolumbisë, ka njoftuar ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, duke theksuar rëndësinë e këtij momenti historik për forcimin e marrëdhënieve biletarale dhe zgjerimin e pranisë diplomatike të Kosovës në vendet e Amerikës Latine.

“Sot, një hap historik në Bogotá, Kolumbi.

Kosova hap ambasadën e saj në një vend tjetër të rëndësishëm në Amerikën e Jugut. Ky moment historik mbështet strategjinë tonë për të zgjeruar praninë globale të Kosovës”, ka shkruar kryediplomatja kosovare.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do ta përfaqësojë vendin në inaugurimin e ambasadës në Kolumbi. Por, ka pasur raportime për përplasje mes kreut të shtetit dhe shefes së diplomacisë sa i përket përfaqësimit të Kosovës në ceremoninë e inaugurimit.

Ambasada e Kosovës në Bogota është e dyta në Amerikën Latine pas asaj në Panama. Kolumbia e ka njohur Kosovën në gusht të vitit 2008, gjashtë muaj pas shpalljes së pavarësisë, duke u bërë vendi i dytë në këtë rajon që merr këtë vendim pas Perusë.

Kosova, përveç Kolumbisë, Panamasë dhe Perusë, gëzon marrëdhënie të mira edhe me Kosta Rikën dhe El Salvadorin. Megjithatë, shtetet e tjera të këtij rajoni – shtëpia e rreth 662 milionë njerëzve – sikurse Brazili, Argjentina, Meksika dhe Kili, krahas shumë të tjerave, vazhdojnë të përmbahen nga njohja diplomatike e Kosovës.(Albanian Post)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *