Shteti i Kosovës do të ofroj 20 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve në Gjykatën Speciale në Hagë.
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka treguar detaje për buxhetin që është i ndarë për mbrotjen e të akuzuarve.
“Ne kemi 7 milionë euro që janë ndarë me amendamentimin në Kuvend gjatë rishikimit buxhetor dhe 13 milionë euro që janë në buxhetin rezervë. Krejt i kemi 20 milionë euro që do të shfrytëzohen për mbrojtjen e të akuzuarve”, tregoi Selimi në konferencën që ishte thirrur të lansoj projektligjin e ri për parandalimin e korrupsionit, transmeton Gazeta Express.
Ai ka treguar edhe si do të ndahen këto para për mbrojtjen:
“Janë të klasifikuara për shkak që ky klasifikim është bërë më herët që të ruhet konfidencialiteti mes avokati dhe klientit. Ne kemi pranuar disa kërkesa, këto kërkesa do të fillojnë të shqyrtohen këtë javë pasi që deri tash kemi pritur verifikimin e AKI-së të zyrtarëve që do të merren me procesimin e këtyre kërkesave sepse na është dashtë që ata të kenë nivelin e verifikimit sekret. Javën e kaluar AKI e ka përfunduar verifikim dhe kemi tash certifikatat e këtyre zyrtarëve të dhënë nga AKI. Grupi do të mblidhet shpejtë dhe do ta shqyrtojë çdo kërkesë.”