Raporti i fundit i organizatës Reporterët pa Kufij (RSF) për lirinë e mediave në botë e ka radhitur Kosovën disa vende më lartë se vitin e kaluar.

Në indeksin për vitin 2022, Kosova radhitet në pozitën e 61-të, disa vende më lartë në krahasim me vitin 2021 kur radhitej në pozitën e 78-të.

Ndërsa, Shqipëria ka rënë për njëzet vende duke u renditur në vendin e 103-të.

Shqipëria bën pjesë në listën e shteteve ku autoritetet kanë intensifikuar ligjet kundër gazetarëve, transmeton Euronews Albania.

Përkundër përparimit, Kosova vazhdon të mbetet në mesin e vendeve me “situatë problematike”, siç e vlerësojnë Reporterët pa Kufij.

Ngjashëm si Kosova, përparim kanë shënuar: Maqedonia e Veriut në pozitën e 57-të nga 90; Serbia në pozitën 79 nga 93 dhe Mali i Zi në pozitën 63 nga 104.

Raporti i Reporterëve pa Kufij vjen në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, që shënohet çdo 3 maj.

Raporti vlerëson gjendjen e gazetarisë në 180 vende dhe territore të botës.

Në Evropë, sipas raportit, Norvegjia mbetet në krye të Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit, por, megjithatë, ka pabarazi të konsiderueshme.

Estonia dhe Lituania – dy ish-shtete komuniste – janë tani në dhjetëshen e parë, ndërsa Holanda nuk është më.

Greqia, ndërkaq, ka zëvendësuar Bullgarinë në vendin e fundit në Evropë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *