Nga Augustin Palokaj
koha.net

Për herë të parë në 22 vjet, sa jam korrespondent në Bruksel, jam ndier në siklet kur kam bërë një pyetje lidhur me Kosovën. Në vendin ku jetoj, në Belgjikë, doli lajmi se për një ditë janë infektuar edhe 462 persona me koronavirus. Madje kur u shpall ky lajm u tha se këto janë shifra tepër të ulëta, sepse testohen vetëm personat që janë për t’u shtrirë në spital. Kur po dërgoja pyetjen rreth Kosovës, shërbimi i shtypit i Komisionit Evropian vendosi të mos lejonte më hyrjen e gazetarëve në selinë e tij, ndërsa pyetjet duhej drejtuar përmes emailit. Në të njëjtën kohë në Itali dhe Spanjë nga virusi vdiqën qindra njerëz. Virusi ka kapur edhe zyrtarin e lartë të Komisionit, kryenegociatorin për Brexit, Michael Barnier. Dhe me këtë sigurisht edhe shumë të tjerë që do të zbulohen më vonë, sepse ai ka pasur shumë kontakte ditëve të fundit.

Virusi i ka kapur edhe shumë zyrtarë të tjerë të BE-së. Me mijëra njerëz kanë mbetur të bllokuar nëpër kufij, ndërsa me qindra miliarda euro, që tash llogariten të humbura për ekonominë evropiane, nëse kriza kalon shpejt. Nuk ka më takime ministrore në Bruksel me praninë fizike të ministrave. Nuk ka as përgjigje se cilat vendime mund të merren përmes konferencave në distancë. Nuk ka BE-ja as ilaçe e as pajisje të mjaftueshme mjekësore për shtetet e veta. Edhe NATO-ja, që simbolizon fuqinë, dhe është sigurisht fuqia më e madhe ushtarake në botë, u dorëzua para virusit dhe mbajti konferencën virtuale për gazetarë. Sepse vërtet virusi na qenka më i rrezikshëm sesa plumbi apo granatat, së paku duket se frika nga ai është më e madhe.

E në këto rrethana unë dërgoj pyetje rreth qëndrimeve të BE-së për zhvillimet e fundit në Kosovë, ku një parti e koalicionit kërkon votën e mosbesimit ndaj qeverisë ku vetë është pjesë.

Duhet të kenë menduar kur e kanë parë pyetjen se “Ku na gjeti ky tash me këtë pyetje”. Kujt i shkon mendja tash, kur njerëzit vdesin në numër gjithnjë e më të madh, kur me gjithë masat e ashpra që kanë kufizuar lëvizjen e njerëzve më shumë sesa në gjendje lufte, tek mospajtimet dhe grindjet politike në Kosovë.

Por, pasi edhe BE-ja vazhdon të insistojë se “gjërat duhet të ecin” dhe “puna duhet të kryhet”, shpejt erdhi edhe përgjigjja:

“Po përcjellim për së afërmi zhvillimin e situatës në Kosovë. Situata e paprecedencë në rrethanat e shpërthimit të virusit COVID-19 kërkon konsensus, unitet politik dhe cak të përbashkët. Nënvizojmë se partitë politike duhet para se gjithash dhe më së shumti të kujdesen për fatin e popullit të Kosovës e jo për ndonjë interesi partiak”, thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi nga BE-ja.

Kolegët më thonë se nuk duhet të ndihem në siklet, se ndoshta Kosova është me fat sepse ka luksin që në mediat e saja tema e parë të mos jetë shqetësimi për koronavirusin. Mbase të jetë i vetmi vend në botë kur lajmet kryesore janë mosbesimi ndaj qeverisë e jo virusi.

E di se në humorin që po përhapet, që ne e quajmë “humor i zi”, i cili të ndihmon më lehtë të tejkalosh vështirësitë, siç kam përjetuar gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci, mund t’i ketë shtyrë kolegët që ta përmendin Kosovën si “sui generis”, si një vend të rrallë në botë ku politikanët kanë luksin të merren me diçka tjetër e jo me virusin korona.

Vërtet i kemi politikanët “sui generis”. Ata, sikur edhe në kohën e luftës, mendojnë si ta shfrytëzojnë këtë situatë që, kur të kalojë kriza, të përfitojnë dhe të jenë në pushtet.

Shikoj në Belgjikë se si, pas më shumë se një vit dështimesh që të formohet qeveria, qeverisë teknike i është dhënë tash mandati i plotë me kompetenca sikur qeveria normale për gjashtë muaj, në mënyrë që të mund të marrë vendime të cilat janë të domosdoshme për përballjen me krizën. Dhe kësaj qeverie besimin ia kanë dhënë hiç më pakë se 9 parti.

Shoh se si në Kroaci presidenti, një kundërshtar i ashpër i qeverisë, uron qeverinë dhe thotë se “nuk ka asnjë vërejtje në mënyrën se si ajo përballet me krizën”. Kërkon nga qytetarët të kenë besim në Qeverinë dhe të ketë unitet. Shoh krah për krah ministrin e Shëndetësisë dhe atë të Punëve të Brendshme se si raportojnë rregullisht për situatën, për masat dhe japin sqarime.

Shoh se si ministri i Shëndetësisë në Holandë nga lodhja rrëzohet dhe jep dorëheqje, sepse është i vetëdijshëm se fizikisht nuk mund ta përballojë barrën që ka.

Shoh solidaritet kudo që shikoj. Por jo në Kosovë. Atje politikanët grinden. Kërkohet rrëzimi i qeverisë nga një parti në pushtet. Jepen ultimatume dhe shantazhe. Këtë iniciativë e mbështesin partitë që kërkojnë heqjen e taksave (pse na prish me Amerikën) dhe AAK-ja e cila kërkon që ajo të mos hiqet, por pajtohen se duhet rrëzuar qeverinë. Sa bizare.

Po më kujtohet se si po afrohet edhe 24 marsi, data kur NATO-ja para 21 vjetësh nisi sulmet ajrore për të çliruar Kosovën. Ishte hera e parë në histori që kjo Aleancë bënte një gjë të tillë. Dhe më shkon mendja tek Javier Solana, njeriu që pati fatin dhe përgjegjësinë, dhe që për të ishte vendimi më i vështirë në jetën e tij. Ai sot është i shtrirë në Spanjë në spital me virusin korona. Në moshë dhe me probleme shëndetësore nuk do ta ketë të lehtë. Nuk ka Facebook dhe nuk e di a i ka dëshiruar ndonjë lider i Kosovës shërim të shpejtë Solanës.

Por as në kohën kur NATO-ja ndërhynte nuk kishte unitet mes politikanëve të Kosovës. Isa Mustafa me Bujar Bukoshin ishin në Bon të Gjermanisë duke kundërshtuar jo vetëm Thaçin, por në një masë edhe Ibrahim Rugovën. Hashim Thaçi herë në Bjeshkët e Berishës, herë në Tiranë, Bruksel, Paris e Londër. Ramush Haradinaj në front lufte, Albin Kurti në burgjet e Serbisë. Edhe gjatë luftës edhe pas saj grindeshin se kush është kryeministër legjitim i Kosovës, Thaçi apo Bukoshi. Kë e konsideron Amerika e Evropa “inter lokutor”. I bashkoi interesi personal pas luftës, por jo interesi për Kosovën.

Sot Kosova është shtet, por politikanët i ka të njëjtë dhe të pandryshueshëm. Thirrjet për të pasur fatin e qytetarëve para interesave partiake, që dërgon BE-ja, nuk do të dëgjohen. Sepse ata politikanë janë “sui generis”.

Duhet shpresuar se vala e përhapjes më të madhe të virusit të mos e kaplojë Kosovën. Sepse, nëse shtetet më të zhvilluara të botës, si Zvicra, Belgjika, Franca dhe Danimarka, kanë frikë se sistemi i tyre shëndetësor nuk do të mund të përballojë rritjen e numrit të rasteve me ritmin e tashëm, kam frikë edhe të mendoj se çfarë mund të ndodhë me Kosovën. Iluzionet se “Ushtria e Kosovës” mund të marrë situatën nën kontroll nuk ndihmojnë. Sepse FSK-ja është ushtri në formim e sipër, mund të ndihmojë pa dyshim, por nuk ka kapacitete dhe Kosova mund të përjetojë tragjedi nëse nuk kursehet nga rritja e madhe e rasteve të infektimeve. E kjo është edhe më e komplikuar sesa në situatë lufte. Nuk mund të goditet me plumba virusi. E të gjitha shtetet mike kanë hallet e veta, për momentin shumëfish më shumë sesa Kosova, e nuk do të mund t’i dalin Kosovës në ndihmë.

Shpresojmë të vijë koha kur mund të bëhen analizat rreth koalicionit qeverisës, sa është ai i sinqertë apo jo, a mund të mbijetojë apo jo? Kjo kohë nuk është tash, sepse ka prioritete të tjera. Është koha për unitet dhe solidaritet. Por me këta politikanë që ka Kosova kjo duket një kërkesë e tepërt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *