Komisioni Qendror Zgjedhor nuk ka mjete buxhetore të planifikuara për zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Por, KQZ po pret vendimin për shpalljen e zgjedhjeve në mënyrë që të fillojë me përgatitjet intensive për organizimin e tyre.
“Jemi në kohë pandemie dhe sigurisht se këto zgjedhje janë sfiduese për faktin se KQZ-ja krahas përgatitjeve teknike për organizimin e këtyre zgjedhjeve duhet të merret edhe me zbatimin e masave apo rekomandimeve të institucioneve shëndetësore që lidhen me mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor,” ka thënë për Klan Kosova, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Prandaj, KQZ-ja do të përgatis me kohë kërkesën buxhetore të cilën do ta përcjellë për miratim në Qeverinë e Kosovës në kohën kur shpallen këto zgjedhje.”