Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell kanë shprehur hapur qëndrimet e kundërta që kanë në lidhje me zbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.  

Kurti po qëndron në Bruksel dhe gjatë ditës së martë çështja e Asociacionit është diskutuar në takimin e Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

“Janë 33 marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe dy të tretat e tyre nuk janë zbatuar nga Serbia, por Beogradi gjithnjë e përmend vetëm një marrëveshje që nuk e ka kaluar sprovën në Gjykatën Kushtetuese. Mbaj mend se më 31 dhjetor të vitit 2015, kur Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin, asnjë serb në Kosovë nuk protestoi, vetëm Beogradi”, ka thënë Kurti.

Siç transmeton VOA, Kurti më pas deklaroi: ““Unë jam demokrat, prandaj besoj që kapitujt e ardhshëm të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk duhet të jenë aty për të kënaqur një politikan, për t’i shpëtuar lëkurën atij apo fytyrën e një politikani tjetër, por për të ndihmuar dhe për t’u shërbyer qytetarëve.”

Në anën tjetër, Borrell u shpreh rreth kësaj çështje duke iu drejtuar Kurtit dhe duke thënë “se unë jam demokrat po ashtu dhe nuk jam këtu t’i shërbej asnjë politikani të cilësdo palë.”

Më pas Borrell deklaroi: “Nuk pajtohem me ju që Gjykata Kushtetuese e bën të pamundur zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Ajo u arrit nga përfaqësuesit e dy palëve, në mirëbesim dhe në pajtim me normat ndërkombëtare dhe në kuadër të bisedimeve. Më vjen keq kryeministër, por duhet të kërkojmë zbatimin e kësaj marrëveshjeje. E di se ka edhe marrëveshje tjera të cilat s’janë zbatuar, por kjo është shumë e rëndësishme.”

Takimi i mbajtur të martën ishte i katërti i Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Kryeministri Kurti foli edhe për liberalizimin e vizave. Ai tha se Kosova tashmë ka përmbushur 95 kushte që i janë kërkuar, por ende nuk ka marrë liberalizimin e vizave.

Delegacioni i Kosovës u udhëhoq nga kryeministri Kurti, derisa në atë të BE-së ishte shefi i politikës së jashtme të bllokut evropian, Josep Borrell dhe komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *