Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është takuar me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq gjatë pjesëmarrjes në samitin e vendeve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor që po zhvillohet në Slloveni.  

Kurti dhe Vuçiq kanë zhvilluar takim nën praninë e Kancelares gjermane Angela Merkel dhe Presidentit francez Emmanuel Macron.

“Biseuam për Procesin e Berlinit, lëvizjen e lirë dhe njohjen e diplomave”, ka njoftuar Kurti përmes një postimi në Twitter.

Kurti tha se mbështet marrëveshjet ku të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor trajtohen si të barabarta dhe kur nga ato përfitojnë qytetarët.

Ndërsa, pas takimit, Vuçiq ka thënë se pa zgjidhjen e çështjes së Kosovës nuk mund të ketë anëtarësim të Serbisë në BE.

“Tash a duhet të njohim apo jo, këtë nuk mund ta them, pasi nuk ma ka kërkuar askush. Ndoshta mund të flitet korridoreve, por mua nuk ma ka kërkuar askush”, ka thënë Vuçiq, transmeton Koha.net.

Samiti në Brdo të Sllovenisë po mbahet gjatë ditës së mërkurë dhe në deklaratën e lëshuar nga ky samit, ndër të tjera, kërkohet “përparim konkret” në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *