Serbët në Kosovë janë shprehur të hapur të mirëpresin vizitat e Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, që ky i fundit të shoh nga afër sfidat nëpër komunat ku ata jetojnë.

“Çdokush që ka qëllim të mirë, është i mirëseardhur”, ka thënë Drejtori i Kadastrit në Komunën e Graçanicës, Nebojsha Periq.

Gjatë një tryeze të mbajtur në Qendrën për Media në Çagllavicë, përfaqësues nga komunat me shumicë serbe kanë thënë se nuk janë vizituar nga Kurti prej se ky formoi për të dytën herë qeverinë.

“Mendimi im personal është se Kurti duhet të vizitojë Parteshin, që personalisht të njoftohet me problemet që ballafaqohet një komunë e vogël”, u shpreh Ivica Jançiq nga Komuna e Parteshit, transmeton Koha.net.

Sipas një raporti të paraqitur në këtë tryezë, serbët e intervistuar në këto komuna kanë thënë se problemet e tyre duhet t’i zgjidhin përfaqësuesit e zgjedhur serbë në institucionet e Kosovës, e jo shqiptarët.

Drejtori i FDMC-së, Dejan Radivojeviq, thotë se kjo është gabim.

“Ky është një paradoks total. Të gjithë që ulen në Qeveri duhet t’u përgjigjen të gjitha komuniteteve, pasi kjo është puna e tyre, e jo dëshira ose mendimi i një komuniteti. Përsëris, Kurti duhet të fillojë, të bëjë hapin e parë”, ka thënë Radivojeviq.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *