Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u është drejtuar qytetarëve me ‘dy kërkimfalje’ gjatë ditës së dielë.
Përmes faqes së tij në Facebook, Kurti ka kërkuar falje për mos fillimin e zbatimit të largimit të taksës për importet nga Serbia, si dhe për mos zbatimin e një urdhërese si masë kundër koronavirusit.
Më poshtë, lexoni postimin e plotë të Kurtit të rrjetin social:
Dy kërkimfalje
Të nderuar qytetarë,
Sot, me datë 15 mars 2020, është dashur që të hiqet tarifa 100% në lëndën e parë që importohet nga Serbia. Kjo nuk do të ndodhë sepse qëndrimi im i shprehur më 27 shkurt 2020 ndërkohë nuk u bë vendim. Më vjen keq për këtë. Ende nuk kam arritur ta bind partnerin tonë të koalicionit qeverisës, LDK-në, për atë që vetë jam i bindur: zëvendësimi gradual i tarifës me reciprocitetin është mënyra më e mirë, më e drejtë dhe më e dobishme.
Seanca e djeshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës që nisi pasdite e përfundoi pas mesnate, nuk respektoi urdhëresat për distancë fizike mbi një metër midis njerëzve në kohën e pandemisë së virusit Corona. Me zëvendës-kryeministrat e mi tërë kohën isha më afër se aq, e nganjëherë edhe përgjatë bisedave të ndryshme teksa diskutonim mbi buxhetin 2020 të cilin e aprovuam mbrëmë. Më vjen keq për këtë dhe ju kërkoj falje.