Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka kërkuar që të ketë një deklaratë të përbashkët përmes të cilës Kosova dhe Serbia zotohen për “mos-sulmim” ndaj njëra tjetrës.
Kjo ka qenë një nga kërkesat që Kurti ka shprehur gjatë samitit të mbajtur të premten në Vjenë, nën organizimin e Kancelarit austriak Sebastian Kurz.
“Kosova dhe Serbia të bëjnë një deklaratë të përbashkët të paqes me zotim për mos-sulmim, Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të ballafaqohet me të kaluarën, si dhe Kosova e Serbia të zbatojnë reciprocitetin sa i përket të drejtave të pakicave”, ka thënë Kurti gjatë samitit.
Në postimin e tij në Facebook, kryeministri i Kosovës tregoi për katër pikat kryesore për të cilat foli gjatë samitit, përfshirë kërkesën që Serbia të njoh pavarësinë e Kosovës dhe Bashkimi Evropian të bëjë liberalizimin e vizave për ksoovarët.