Mund të ketë asociacion mbi baza gjeografike, por Kushtetuta e Kosovës nuk lejon themelimin e një asociacioni mbi baza etnike, ka thënë Kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

“Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë Asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë Asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zëmë Asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të Maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc”, ka thënë të enjten Kurti për KosovaPress.

Kjo deklaratë e Kurtit vjen pasi një ditë më parë ambasadori amerikan, Philip Kosnet, tha se Kosova e ka detyrim themelimin e asociacionit me shumicë serbe.

“Asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës”, ka theksuar Kurti.

Çështja e asociacionit u debatua në martën në Bruksel në takimin e parë të kryeministrit Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Duke u përgjigjur në kërkesën e Beogradit për themelimin e atij asociacioni, kryeministri Kurti tha se Kosova “nuk mund të lejojë përsëritjen e skenarit të Bosnje dhe Hercegovinës”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *