Është në natyrën e autokratëve të bëjnë shkëmbime të territoreve si në mesjetë, ka thënë Kryeministri i Kosovës Albin Kurti kur është pyetur rreth ideve për shkëmbim të territoreve në rajonin e Ballkanit.
“Nuk jemi në mesjetë, me monarkë që i konsiderojnë territoret e shtetit si vendin e babait apo monarkut, dhe populli si familje e atij që sundon,” ka thënë Kurti gjatë një interviste për median kroate Veçernji List.
Kurti tha se shkëmbim të territoreve dëshiron Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe jo populli serbë.
“Ne jemi Republikë Demokratike edhe kjo është arsyeja pse i fitova zgjedhjet sepse populli i Kosovës nuk e do një gjë të tillë. Unë mendoj se serbët nuk e duan një gjë të tillë atë e dëshiron vetëm presidenti i Serbisë,” ka thënë Kurti, transmeton KlanKosova.
Ndërsa, në lidhje me nismën “Ballkani i Hapur”, kryeministri kosovar tha se kjo nismë është më shumë e hapur ndaj ndikimeve nga lindja.
“Ne duhet të jemi të hapur ndaj Bashkimit Evropian, jo të hapur ndaj Federatës Ruse dhe Kinës,” tha Kurti.