Nga data 15 mars do të largohet tarifa për lëndën e parë që futet në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja, derisa varësisht se si do të jetë reagimi i Serbisë, në muajt në vazhdim, mund të ndodh që taksa të largohet plotësisht nga fillimi i qershorit.
“Nëse pala serbe dëshmon përkushtim të mirëfilltë në ndalimin e fushatës jomiqësore dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave jotarifore me Kosovën, atëherë duke filluar nga data 1 prill 2020, Qeveria e Kosovës do të heqë tërësisht tarifën për importet nga Serbia dhe BeH për një periudhë prej 90 ditësh.” ka thënë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai gjithashtu ka paralajmëruar se “në rast se pala serbe nuk reflekton as pas një periudhe prej 90 ditësh nga vendimi fillestar për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë, atëherë Qeveria e Kosovës me fillim nga data 15 qershor do ta rikthejë tarifën për importet nga Serbia, teksa vazhdohet implementimi i filluar me 1 prill i reciprocitetit.”
Siç transmeton Gazeta Express, Kurti gjithashtu ka kërkuar që “Bashkimi Evropian ta vlerësojë lart vendimin e palës kosovare për ta hequr tarifën prej 100%, duke ofruar liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit më 7 maj 2020.”
Por, këto vendime të Kryeministrit kosovar nuk e kanë kënaqur zyrtarin e lartë të Shteteve të Bashkuara, Richard Grenell.
Reagimi i tij ka qenë i menjëhershëm duke i quajtur vendimet e Kurtit si “gjysmake”.
I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, në një postim në Twitter, ka shkruar se “nuk i mbështet masat gjysmake të kryeministrit Kurti”.
“Pozicioni ynë është mjaft i qartë: tarifat duhet të hiqen plotësisht. Kurti është duke bërë një gabim serioz – dhe kjo i është bërë sot e qartë presidentin Hashim Thaçi në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar Grenell, transmeton gazeta.