Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka dhënë një intervistë për Foreign Policy ku është pyetur për situatën aktuale politike në Kosovë, largimin e partnerit të koalicionit qeverisës, dhe rolin e diplomatit amerikan Richard Grenell si i dërguar për dialogun.

I pyetur se pse mendon që Richard Grenell, i dërguar i Presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, ka luajtur rol në rrëzimin e qeverisë, Kurti është përgjigjur:

“Për herë të parë takova ambasadorin Grenell menjëherë pas zgjedhjeve ku fituam në tetor të vitit të kaluar. Në atë kohë, ai thoshte se Kosova duhet ta heqë tarifën 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe Serbia duhet ta ndalë fushatën e çnjohjeve, me të cilën Serbia po lobon gjithandej që shtete të caktuara të tërheqin njohjen e Kosovës, dhe po vendos pengesa të ndryshme për të penguar anëtarësimin tonë në organizata ndërkombëtare.

Më vonë, në janar ai erdhi përsëri në Kosovë dhe përsëriti të njëjtën gjë. Por, pasi u kthye nga Beogradi, ai filloi ta braktiste, pak nga pak, pjesën tjetër – kërkesën që Serbia ta ndalë fushatën e tërheqjes së njohjeve. Ishte vetëm, “Ju [Kosova] duhet t’i hiqni tarifat”. Ai e ndryshoi qëndrimin e tij rreth qëndrimit të Serbisë. Kjo është diçka e veçantë sa i përket raportit mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Ne gjithmonë kemi pasur qëndrimin tonë. Serbia qëndrimin e saj. Shtetet e Bashkuara  na takonin në gjysmë të rrugës dhe zakonisht me mundësi për të lëvizur para.

Nuk po them që Shtetet e Bashkuara janë barabartë me Serbinë, larg nga kjo. Ky zyrtar specifik ka këtë qëndrim specifik, që është i njëjtë me atë të Beogradit. Kjo ndodh për herë të parë. Kurrë, në marrëdhënien tonë 30 vjeçare, që nga viti 1989, nuk ka pasur përfaqësues amerikan në Ballkan me qëndrim identik me Beogradin.”

Foreign Policy: Grenell e ka mohuar se ka folur për shkëmbim territoresh. Të hënën, pas konferencës tuaj për media, ai shkroi në Twitter: “Absolutisht nuk ka pasur asnjë bisedë për shkëmbim territoresh nga unë dhe kjo nuk është diskutuar kurrë nga ndokush në prezencën time.” Si i përgjigjeni kësaj?

Albin Kurti: Ai ka ndihmuar në arritjen e disa marrëveshjeve në mes Kosovës e Serbisë lidhur me hekurudhat e autostradat dhe [në rifillimin] e fluturimeve direkte mes Prishtinës dhe Beogradit. Dhe unë mund ta imagjinoj se ai është i interesuar për nënshkrimet poshtë [marrëveshjeve], e jo për tekstin mbi. Ngutja e tij e shtyn atë në të njëjtën anë me Beogradin, sepse nëse do marrëveshje të shpejtë, atëherë ushtron presion mbi palën e dobët. Mendoj se ai mund të mos ketë marrë pjesë në këtë marrëveshjen Thaçi-Vuçiq, por jam i sigurt se ai është i informuar për këto biseda sekrete dhe di për përmbajtjen e tyre. Pra, atij i duhet një pajtim. Atij i duhet një marrëveshje, që të tregojë se krizat ndërkombëtare mund të zgjidhen paqësisht, edhe nëse ajo nënkupton shkëmbim territoresh.

Mendoj që shkëmbimi territorial do të çoj në më shumë refugjatë dhe më shumë konflikt, dhe jo në kufij të rinj ashtu si mund të mendojnë ata. Mund t’i vizatosh në një copë letre, por t’i kthesh në realitet në terren nuk është e mundur pa konflikt.

Kliko këtu për ta lexuar intervitsën e plotë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *