Qeveria e Kosovës e pranon propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Këtë e ka deklaruar të hënën Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit që zhvilloi në Prishtinë me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.  

Kurti tha se e konsideron si bazë të mirë propozimin e BE-së për diskutime të mëtutjeshme dhe si një platformë për të ecur përpara.

Ndërsa, Lajçak tha pas takimit me Kurtin se kanë diskutuar “gjithçka” që lidhet me dialogun, por se diskutimi ka qenë i përqendruar te propozimi evropian. Ai përsëriti qëndrimin se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohen, transmeton REL.

Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi u është dorëzuar dy vendeve në fund të verës së vitit të kaluar, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike.

Pas qëndrimit në Prishtinë, Lajçak do të udhëtojë për takime në Beograd.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *