Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka vlerësuar se rezultati i zgjedhjeve të së dielës në Serbi nuk është befasues dhe për këtë ‘nuk ka pasur dilema’.  

Të dielën në Serbi u mbajtën zgjedhjet presidenciale,  të jashtëzakonshmet parlamentare dhe ato lokale për qytetin e Beogradit, Borit dhe 12 komunave të tjera. Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve, Aleksandar Vuçiq ka fituar mandatin e dytë presidencial me mbështetjen e 58.58 për qind të votuesve.

Kurti ka deklaruar se “Serbia nuk është një vend demokratik” dhe qasjen e saj ndaj pushtimit rus në Ukrainë duhet ta dënoj Bashkimi Evropian.

“Serbia nuk është një vend demokratik por edhe karshi agresionit ushtarak e invazionit rus nuk është shtet neutral, andej po vazhdon autokracia dhe besoj që është koha e fundit që Bashkimi Evropian ta dënojë këtë autokraci e cila nuk po e dënon invazionin rus në Ukrainë”, ka thënë Kurti për KosovaPress.

Kryeministri i Kosovës deklaroi se gjatë ditës së dielë në Serbi kanë votuar rreth 15 mijë votues që kanë udhëtuar nga Kosova.

Ai ka falënderuar Policinë e Kosovës për menaxhimin e situatës duke filluar nga organizimi i autobusëve që kanë dërguar votuesit nga Kosova drejt Serbisë.

Lexo më shumë këtu  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *