Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i është drejtuar deputetëve në parlament gjatë ditës së premte, duke dhënë shpjegime rreth çasjes së qeverisë së tij në dialogun me Serbinë.
Duke iu përgjigjur kritikave të deputetëve nga opozita, Kurti ndër të tjera iu referua procesit të deritanishëm të dialogut.
“Kjo seancë është për me i nxjerrë mësimet tona nga gabimet e juaja. 10 vjet dialog tuajin ne duhet ta trajtojmë për me i nxjerrë mësimet për të ardhmen”, është shprehur Kurti, transmeton Koha.net.
Gjatë fjalimit, Kurti i tha deputetëve të opozitës se ka një lutje: “Mos më rrëzoni edhe njëherë se mandej…”.
Kryeministri u shpreh kështu pasi paraprakisht theksoi “dëmet” që sipas tij janë bërë deri tani nga dialogu me Serbinë.
Në reagimin e tij, Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku iu drejtua Kurtit duke i thënë të mos dramatizoj.
“Mos bë dramë se nuk është kah të rrëzon askush, nëse të rrëzon e rrëzon ti veten”, ka thënë Abdixhiku.
Ndër të tjera, gjatë paraqitjes së tij në parlament, kryeministri Kurti tha se nuk duhet ngutur në dialogun me Serbinë.
“Pse te ngutemi ne, kur është shpallur pavarësia nuk është menduar njohja nga Serbia. Pse kjo varësi nga njohja e pavarësisë sonë nga Serbia.”
Kuri gjithashtu tha: “Presioni i BE-së do të duhej të jetë mbi Serbinë, nga 22 shtete që e njohin Kosovën e jo mbi Kosovës që është në fund të procesit të integrimit e kushtëzohet nga pesë shtete.”