Në Kuvendin e Kosovës të shtunën është votuar rezoluta që ndalon mbajtjen e referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës.
Në votim, 76 vota ishin për, asnjë kundër dhe një abstenim.
Të dielën, në Serbi mbahet referendumi për ndryshime kushtetuese dhe planifikohej që edhe serbëve të Kosovës t’u mundësohej të votojnë në këtë referendum.
Sipas rezolutës së votuar në Kuvendin e Kosovës, mbajtja e referendumit të Serbisë në Republikën e Kosovës, “cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare”.
Ndërkohë, të shtunën në mbrëmje mediat serbe raportuan se pas miratimit të rezolutës, serbëve të Kosovës do t’u mundësohet që të votojnë në Novi Pazar, Rashkë, Kushumli dhe Vranje.
Serbët e Kosovës do të mund të votojnë në 45 qendrat e vendvotimeve në këto katër qytete, transmeton Gazeta Express.