Ish-ambasadori i Kosovës në Republikën e Çeke, Arbër Vllahiu, ka deklaruar se kosovarët mund të mbesin edhe gjatë vitit 2022 pa liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Evropian.
Vllahiu ka dhënë disa arsye të cilat ai thotë se mund të pengojnë një vendim që pritet tash e disa vite nga qytetarët e Kosovës.
“Ky vit mund të kalojë i tëri pa pasur liberalizimin e vizave për dy arsye, e para sepse Franca ka zgjedhjet e saj në pjesën e parë të këtij viti, që do të thotë deri kah maji, kur duhet ta mbajë edhe një samit të madh për Balkanin Perëndimorë”, ka thënë ai për KlanKosova.
Vllahiu gjithashtu ka theksuar se pas Francës, kryesmimin e BE-së e merr Republika e Çeke dhe skena politike në këtë vend nuk ka qëndrime të njëjta ndaj Kosovës.
“Duke pasë parasysh qëndrimin e presidentit çek posaçërisht dhe duke marrë parasysh qëndrimin e një pjese të skenës politike në Republikën e Çeke dyshoj se mund të ketë një përparim në procesin e liberalizimit të vizave”, ka thënë Vllahiu.