Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se ‘do të ketë’ takim të radhës mes Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit aktual të Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Gjatë qëndrimit në Beograd, diplomati evropian tha se është optimist për takimin e tretë mes Kurtit dhe Vuçiqit.
“Ju nuk keni parë shumë dialog, por ndërkohë ka pasur shumë proces dhe përparim. Sot mund të them se jam optimist. Çështja është se kur do të ndodhë ai takim dhe jo nëse do të ndodhë ai”, është shprehur Lajçak, transmeton REL.
Pas vizitës në Prishtinë, Lajqak dhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kanë qëndruar në Beograd.
Të dy bënë thirrje për përparim të shpejtë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Çdo marrëveshje që do të arrijnë, ne do ta mbështesim, financiarisht, politikisht dhe teknikisht”, theksoi Escobar.
Këto komente Escobar dhe Lajçak i bënë pas përfundimit të takimeve me zyrtarë të lartë shtetërorë si dhe partitë e tjera opozitare në Serbi.
Lexo më shumë këtu