Vendimi i qeverisë në detyrë të Kosovës për shtrirjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë, ka sjellë reagimin e Përfaqësuesit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
“I zhgënjyer në lidhje me masat e reja të reciprocitetit të paraqitura nga qeveria në detyrë e Kosovës. Këso veprime të njëanshme dëmtojnë rifillimin e dialogut dhe duhet të hiqen menjëherë. Siç është thënë në vazhdimësi, ne presim që të dyja palët në dialog të zbatojnë dhe të respektojnë marrëveshjet e kaluara”, ka shkruar Lajçak në rrjetin social Twitter.
Në mbledhjen e 37-të të Qeverisë, kryeministri në detyrë Albin Kurti bëri të ditur 6 vendimet, ndër to dhe masat e reja të reciprocitetit me Serbinë.
“Edhe emri ‘Kosovë’ është kushtetues, mirëpo, së fundmi Serbia ka ndërruar qasje duke kushtëzuar përdorimin e emrit ‘Republika e Serbisë’. Ne i kundërvihemi me masë reciproke. Obligohet Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë të përdorë stemën dhe emrin ‘Republika e Kosovës’ në të gjitha certifikatat fitosanitare dhe veterinare. Pra, asnjë maune nuk mund të hyjë në Kosovë nëse në certifikatat e tyre nuk figuron: Republika e Kosovës” ka njoftuar Kurti përmes faqes në Facebook.
