Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të lë çështje të hapura në fund, ka thënë i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
“Çështja kyçe ose parimi i tërë këtij procesi është që në fund të fundit të mos ketë çështje të hapura ose të pazgjidhura. Kemi të bëjmë me çështje që nuk kanë qenë në negociata deri më tani dhe ato që kanë qenë, por nuk janë përmbushur. Këto janë çështje të vështira që provokojnë emocione dhe çelësi është që gjithçka që është rënë dakord duhet të përmbushet”, ka thënë Lajçak pas takimit në Berograd me Presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
Lajçak ka përmendur edhe Kushtetutën e Kosovës, për të cilën ka thënë se “nuk është Bibla”, duke nënkuptuar se ajo edhe mund të pësojë ndryshime që do të kërkoheshin nga marrëveshjet e arritura në dialog.
Siç transmeton Gazeta Express, diplomati sllovak nuk ka përmendur afate kohore kur është pyetur nga gazetarët, por është shprehur: “Ne nuk duhet të zvarritim dhe nuk ka logjikë për ta shpejtuar atë artificialisht.”
Pas takimit, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë se dialogu duhet të vazhdojë dhe se “çfarëdo bisedash që të kemi, sado të vështira dhe të komplikuara, ndonjëherë edhe të këqija, është më mirë të kemi një dialog, biseda, sesa të mos flasim, sepse kur nuk flasim, gjithmonë mund të ketë incidente duke rrezikuar jetën e njerëzve”.