I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, është takuar me Presidentin Hashim Thaçi, për çka ka tha se ka patur “një bisedë konkrete”.
“Pata një bisedë konkrete me presidentin Thaçi për planin, për elementet, metodologjinë dhe do të vazhdojmë komunikimin tonë gjithashtu edhe me përfaqësuesit tjerë të Kosovës”, tha Lajçak, duke theksuar se pret që procesi i dialogut të sjell sukses.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, ai nuk e konfirmoi nëse do të jetë pjesë e takimit të 27 qershorit në Uashington, ku do të takohen qeveritë e Kosovës dhe Serbisë.
Lajçak tha se bashkëpunimi ndërmjet BE-së dhe SHBA-së ka qenë i vazhdueshëm, transmeton Radio Evropa e Lirë. “Do të dëshiroja që të vazhdonim dhe shpresoj që do të kemi komunikim të ngushtë dhe të vazhdueshëm me SHBA-në”.
Ndërsa, pas takimit me Lajçak, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se e ka informuar atë për qasjen e qeverisë ndaj dialogut, i cili duhet përfundimisht të përmbyllë një marrëveshje dhe çështjet e hapura që Kosova ka me Serbinë.
Pas takimit me Hotin, Lajçak tha se “unë dua që Kosova të përparojë në rrugën evropiane, dhe kjo nuk mund të bëhet nga askush tjetër, pos nga Bashkimi Evropian. Prandaj, BE-ja është e gatshme për të ndihmuar, për të hapur të ardhmen evropiane të Kosovës”.
Kjo është vizita e parë e Lajçakut në Kosovë, që prej se në prill u emërua i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.