Ideja e shkëmbimit të territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë nuk është në agjendën e dialogut që po zhvillohet në Bruksel, ka thënë përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

“Ajo që po kërkojmë është një marrëveshje që do të kontribuojë në stabilitetin rajonal, normalizojë marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës dhe do t’iu ndihmojë të ecin përpara në rrugët e tyre respektive evropiane”, ka thënë Lajçak në një letër dërguar Lobit Rajonal të Grave të Evropës Juglindore, transmeton Koha.net.

Ndërkohë, nga BE-ja kanë sqaruar se takimet e niveleve të ekspertëve në mes Kosovës dhe Serbisë do të zgjasin deri në arritjen e një marrëveshjeje.

“Synimi i takimeve të ekspertëve është që të përgatitet takimi i radhës në nivel të lartë, i cili do të jetë në shtator mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, por edhe që të diskutohet për të gjitha çështjet e hapura të cilat duhet të zgjidhen, në mënyrë që të shkohet drejt normalizimit të marrëdhënieve si dhe drejt nënshkrimit të një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme”, ka thënë zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *