I dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka zhvilluar takime në Berlin duke diskutuar për rifillimin e dialogut Kosovë – Serbi që pritet të ndodh këtë fundjavë.
Përmes rrjeteve sociale, Lajçak ka njoftuar se ka takuar presidentin e Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, kryediplomatin Heiko Maas dhe këshilltarin e Merkelit për Politikë të Jashtme, Jan Hecker.
“Pata bisedime të hollësishme me Presidentin Steinmeier, Ministrin e Jashtëm, Heiko Maas dhe këshilltarin e Merkelit për Politikë të Jashtme, Hecker, në Berlin. Fola rreth dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, rëndësisë së dialogut të parë të nivelit të lartë më 12 korrik, pas samitit në Paris më 10 korrik”, ka njoftuar Lajçak në Twitter.
Të premten në Paris do të zhvillohet një “samit virtual” mes Kosovës dhe Serbisë.
Dy ditë më vonë, të dielen, në Bruksel do të takohen kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që, sipas BE-së, do të shënojë edhe rifillimin e dialogut për normalizimin gjithpërfshirës të raporteve.