Liberalizimi i vizave nga Bashkimi Evropian për qytetarët e Kosovës do të duhej të ndodhte prej kohësh, ka thënë Ministri gjerman i Shtetit për Europën, Michael Roth.
“Kushtet janë përmbushur, pra, duhet të mbajmë fjalën, por Bashkimi Europian është i strukturuar në çështje qendrore pikërisht mbi arritjen e konsensusit. Të gjitha shtetet e Bashkimit Europian të mbajnë përgjegjësitë e tyre”, tha Roth gjatë vizitës në Tiranë.
Gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin shqiptar Edi Rama, ministri gjerman tha se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë përmbushur kushtet për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.
“Më së fundi, duhet të fillojë ky proces dhe pikërisht për këtë ne po punojmë me vendosmëri. Jam sigurisht optimist e kështu do të mbetem dhe shpresoj që kjo të mund të mbërrihet në 22 qershor,” tha Roth, transmeton DW.
Ai bëri me dije se BE do të vërë në dispozicion, në ditët e ardhshme 12 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor për të amortizuar pasojat sociale dhe ekonomike të pandemisë Covid-19.