Në një letër dërguar Presidentit amerikan Joe Biden, shtatë ligjvënës në Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësime për situatën aktuale politike në Serbi.

Në letër kritikohet gjendja e medieve në Serbi dhe citohet organizata Gazetarët pa Kufij sipas së cilës “Serbia është një vend ku gazetarët u nënshtrohen sulmeve pothuajse të përditshme që vijnë gjithnjë e më shumë nga elita në pushtet dhe media proqeveritare”.

Siç transmeton VOA, ligjvënësit, Raja Krishnamoorthi, Ritchie Torres, David N. Cicilline, Jan Schakowsky, James P. McGovern, Mike Quigley dhe Jim Costa, në letrën drejtuar presidentit Biden, i kujtojnë atij qëndrimet e shprehura gjatë një vizitë ne Beograd në vitin 2016, ku kishte thënë se “është në interesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që populli i Serbisë të jetë në gjendje të zhvillohet dhe të përparojë”.

Prandaj, thuhet në letër, “ne inkurajojmë administratën tuaj që të angazhohet me presidentin Aleksandër Vuçiç për të luftuar korrupsionin dhe sulmet ndaj lirisë së medias, që janë thelbësore për një Serbi përparimtare e demokratike, dhe për aspiratat e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.

Ndërkohë, pas publikimit në media të letrës së ligjvënësve amerikanë, ka reaguar Presidenti serb Aleksandar Vuçiq duke thënë se është populli i Serbisë ai që vendos.

“Shkruani rezoluta, deklarata, shkruani çfarë të doni. Në fund ne dalim para qytetarëve të Serbisë dhe ata marrin vendimet përfundimtare,” tha të dielën Vuçiq.

Ai tha Serbia përkundër asaj çfarë thuhet ne letër, “ka ruajtur paqen dhe qëndrueshmërinë” në rajon dhe i ka “kontribuuar asaj”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *