Aktivistja serbe Aida Qoroviq është liruar disa orë pas arrestimit në Beograd, pasi kishte hedhur vezë në një mural që shfaqte imazhin e Ratko Mlladiq.
Qoroviq u ndalua të martën nga persona me rroba civile, që mendohet të ishin policë, së bashku me një grua tjetër që u përpoq të protestonte në të njëjtën mënyrë.
Incidenti ndodhi pasi Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ndaloi një tubim të organizatës Nisma e Rinisë për të Drejtat e Njeriut në Serbi, e cila donte të shlyente muralin e Mlladiqit, transmeton REL.
Murali me figurën e ish-komandantit Mlladiq u bë në fasadën e një ndërtese në Beograd një muaj pasi Gjykata në Hagë ka konfirmuar dënimin e tij të përjetshëm, më 8 qershor. Ai u dënua për gjenocid në Srebrenicë, persekutim, krime kundër njerëzimit, shfarosje dhe krime të tjera lufte, të kryera gjatë luftës në Bosnje, nga viti 1992 deri më 1995.