Në 21 komuna të Kosovës sot është zhvilluar raundi i dytë i zgjedhjeve lokale të 17 tetorit

Komunat ku është mbajtur balotazhi i sotëm janë: Prishtina, Prizreni, Gjakova, Gjilani, Podujeva, Kamenica, Drenasi, Dragashi, Istogu, Kaçaniku, Klina, Fushë-Kosova, Obiliqi, Rahoveci, Shtimja, Vitia, Vushtrria, Malisheva, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti


KQZ: Deri në ora 19:00 votuan 37.88 për qind e qytetarëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri në ora 19:00, në nivel vendi kanë dalë 475.751 persona në zgjedhje, apo në përqindje 37.88.

Kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka deklaruar se statistikat e tjera do të publikohen në faqen zyrtare.

“Ju njoftojmë se procesi i votimit ka përfunduar dhe se janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit. Sipas të dhënave preliminare që kemi pranuar nga më shumë se 99% të vendvotimeve numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 19:00 është 475 mijë e 751 votues apo 37.88% nga 1 milion e 260 mijë e 571 votues”, ka thënë Radoniqi.


Voton Presidentja Osmani: ‘Votoni për një jetë më të mirë’

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka votuar gjatë mesditës në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që po mbahet të dielën në Kosovë.  

Pas votimit, Osmani u bëri thirrje qytetarëve të votojnë për “një jetë më të mirë”.

“Sot është një ditë e rëndësishme dhe është me rëndësi që qytetarët t’i përgjigjen këtij detyrimi qytetar që nesër të kenë një jetë më të mirë në komunat e tyre. Shpresoj që si në të kaluarën të kemi një pjesëmarrje aktive dhe ky proces të konsiderohet demokratik dhe i lirë sikurse para një muaji”, ka thënë Osmani para mediave,” ka thënë Osmani, transmeton Gazeta Express.

Ajo ka falënderuar vëzhguesit, komisionerët, policët dhe gazetarët për punën e tyre gjatë ditës së sotme.  


Në ditën e votimeve, përshëndeten nga afër Vitia dhe Rama

Dy kundërshtarët në balotazhin për Prishtinën janë takuar gjatë ditës së dielë kur kryeqytetasit po vendosin për njërin prej tyre.

Kandidati për kryetar nga Lëvizja Vetëvendosje, Arben Vitia dhe ai nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Përparim Rama, janë parë duke u përshëndetur në një nga sheshet e kryeqytetit.

Klan Kosova ka sjellë një fotografi nga momenti kur dy kandidatët përshëndesin njëri tjetrin nga afër.


BE-ja po monitoron zgjedhjet në Kosovë përmes vëzhguesve të vet

Dhjetra vëzhgues të Bashkimit Evropian po monitorojnë raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë që po mbahet gjatë ditës së dielë.

Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgim të Zgjedhjeve në Kosovë, Lukas Mandl, u tha gazetarëve se janë 62 vëzhgues të BE-së që po përcjellin nga afër raundin e balotazhit.

“Inkurajoj qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e votës të shkojnë në vendvotime, të votojnë për njërin ose tjetrin kandidat, dhe të kontribojnë në demokraci,” tha Mandl, transmeton REL.

Një raport preliminar nga ky monitorim do të publikohet nga ana e vëzhguesve të martën.


Zgjedhjet në Kosovë: Dalje e ulët në votime gjatë paradites

Gjatë paradites së dielë, në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë kanë dal për të votuar një përqindje jo e lartë e qytetarëve.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në ora 11:00 kanë votuar 7.13 për qind të qytetarëve me të drejtë vote.

Sipas KQZ-së, të drejtë vote në këtë raund zgjedhjesh kanë 1,260,571 qytetarë dhe ata do të mund të votojnë në 575 qendra votimi me 1,638 vendvotime.

Raundi i dytë i zgjedhjeve po mbahet në 21 komuna të Kosovë, përfshirë Prishtinën, aty ku më 17 tetor nuk u arrit të ketë fitues me mbi pesëdhjetë për qind të votave.


Giacobbe: Votoni për të siguruar demokracinë

I ngarkuari me punë në Ambasadën e SHBA në Kosovë ka ftuar qytetarët të dalin të votojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Nicholas Giacobbe ka shkruar në Twitter se është e rëndësishme dalja në votime për të siguruar demokracinë.  

“Mos e humbisni mundësinë për të formësuar prioritetet dhe vendimmarrjen në qeverisjen lokale. Dilni dhe votoni për të siguruar demokracinë për ju dhe familjen tuaj”, ka shkruar Goacobbe.


Në 21 komuna të Kosovës sot po zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.

Komunat ku po mbahet balotazhi i sotëm janë: Prishtina, Prizreni, Gjakova, Gjilani, Podujeva, Kamenica, Drenasi, Dragashi, Istogu, Kaçaniku, Klina, Fushë-Kosova, Obiliqi, Rahoveci, Shtimja, Vitia, Vushtrria, Malisheva, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti.

Votimi po mbahet në 1,638 vendvotime, ndërkoh ë KQZ-ja po mundëson edhe votimin e personave me nevoja të veçanta si dhe të atyre të infektuar me COVID-19.

Në Prishtinë, rreth orës 10:30 ka votuar edhe Kryeministri Albin Kurti. Ai tha se sot po përmbyllet një vit i suksesshëm elektroal.  

“Komuna është shumë e rëndësishme, në njërën anë është publikja e lagjes e na anën tjetër është qeliza e Republikës. Andaj i inkurajoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë mundësinë, ta përdorin këtë rast dhe të përcaktohen për veten e tyre nëpërmjet udhëheqësve që do të zgjedhin sot,” ka thënë Kurti për gazetarët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *