Në Kosovë sot po zhvillohet votimi në zgjedhjet lokale në 38 komuna të vendit.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për kryetarë të komunave të Kosovës janë certifikuar 166 kandidatë. Në garën për asambleistë në kuvendet e të gjitha komunave janë certifikuar 5,198 kandidatë.
Qendrat e votimit janë hapur në ora 07:00 dhe pritet të mbyllen në ora 19:00.
KQZ: 43 për qind e qytetarëve votuan në zgjedhjet e së dielës
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet lokale të së dielës kanë votuar 43 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
Kjo dalje e votuesve është e afërt me atë të zgjedhjeve lokale të vitit 2017 kur kishin votuar 43.5 për qind.
KQZ njoftoi se mbi 776 mijë qytetarë votuan për të zgjedhur kryetarët e rinj dhe asambletë komunale në 38 komunat e Kosovës.
Rezultatet preliminare pritet të publikohen gjatë mbrëmjes së dielë.
Exit Poll-et: Prishtina në balotazh mes VV-së dhe LDK-së
Pas mbylljes së qendrave të votimit për zgjedhjet lokale në Kosovë, janë publikuar disa Exit Poll-e nga disa prej mediumeve vendore.
Sipas këtyre projeksioneve, në Prishtinë kandidatët më të votuar janë Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Vita dhe Rama do të jenë në balotazh, derisa konfirmimi pritet nga rezultatet preliminare nga Komisioni Qendror Zgjedhor.
Exit Poll-i nga televizioni Klan Kosova e nxjerr fitues në Prishtinë me 43.7 % Arben Vitian e Vetëvendosjes. Ndërsa, Përparim Rama i LDK-së ka fituar 27.1 %.
Edhe projeksioni i televizionit KTV e nxjerr fitues Vitian, por me 45.7%. Derisa në vendin e dytë radhit Raman me 26.3%.
Ndërsa, sipas projeksionit të Albanian Post, Arben Vitia ka fituar 44.5% të votave dhe në vendin e dytë Përparim Rama me 26.5%.
Rezultatet preliminare të zgjedhjeve do të publikohen sonte
Procesi i numërimit të votave në zgjedhjet lokale është më i lehtë se ai i zgjedhjeve të përgjithshme, për këtë rezultati pritet të publikohet më shpejt.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë procesin e mëtutjeshëm pas mbylljes së vendvotimeve.
“Përfundon procesi i numërimit të fletëvotimeve për kryetar, një zyrtar e merr një kopje të formularit me rezultate dhe të njëjtat i ngarkon në aplikacioni e KQZ-së. Pastaj, vazhdon numërimi i fletëvotimeve për kuvende komunale dhe pasi të përfundojë i gjithë ky proces, materialet kthehen në komision komunal të zgjedhjeve dhe prej aty në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, tha Elezi.
Ai shpjegoi se pas procesit të numërimit të votave, rezultatet pritet publikohen gjatë mbrëmjes së dielë.
Në Malishevë arrestohen dy persona, tentuan të blejnë vota
Dy persona janë arrestuar në Komunën e Malishëvës pasi dyshohet se kanë kryer vepër penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”.
Në një njoftimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, thuhet se të arrestuarit janë një vëzhgues dhe një komisioner nga qendra e vendvotimit në gjimnazin “Hamdi Berisha” nën dyshimet për shitblerje të votës, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të njëjtit janë në ndalim.
Në Deçan voton një 102 vjeçe
Një grua 102 vjeçe ka votuar të dielën në Deçan në zgjedhjet komunale.
Ajo ka thënë se pret pas zgjedhjeve të ketë një kryetar të mirë.
“Pas votës, kam dëshirë që kryetari i ri të mendoj mirë, zemrën me pasë të mirë e me punu mirë,” është shprehur ajo, transmeton KlanKosova.
Një nga votueset më të moshuara në Kosovë ka thënë se ka votuar në të gjitha zgjedhjet e mbajtura në Kosovë.
Kandidati serb voton me “stiker” mbi gojë
Me gojën të mbuluar nga mbishkrimi “stiker”, një kandidat serb ka votuar në zgjedhjet lokale të së dielës në Kosovë.
Siç transmeton Albanian Post, ka qenë Dushan Millunoviç, kandidat për kryetar në Mitrovicën e Veriut, ai që ka bërë një lloj proteste derisa ka dhënë votën e tij.
Ky veprim nga Millunoviq vjen disa javë pas marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për vendosjen e stikerave (ngjitësve) në targat e veturave që futen nga njëri vend në tjetrin.
Kanidati për kryetar nga iniciativa Qytetare “Srpski Opstanak” (Mbijetesa Serbe), që zgjodhi këtë formë proteste, ka votuar në qendrën e votimit në shkollën “Sveti Sava” në Mitrovicën e Veriut.
Në Prishtinë votuan 28 për qind deri në ora 15:00
Në Prishtinë kanë votuar 28,45 për qind e qytetarëve me të drejtë vote deri në orën 15:00.
Të dhënat nga uebfaqja e KQZ-së tregojnë se deri në këtë orë saktësisht kanë votuar 55 mijë e 747 votues.
Pa maska drejt vendvotimeve
Në Mitrovicën e Veriut, zyrtarë të Listës Serbe janë parë duke shkuar për të votuar pa vendosjen e maskave mbrojtëse ndaj Covid-19.
Ndërsa, nënkryetarja e kësaj komune, Adrijana Hoxhiq, ka postuar foto gjatë ecjes drejt vendvotimeve, ku ajo me të tjerët përreth nuk kanë patur të vendosura maskat.
Siç transmeton REL, Hoxhiq është arsyetuar se shumica prej atyre që kanë qenë bashkë me te kanë qenë të vaksinuar.
Deri në orën 15:00 kanë votuar 27 për qind e qytetarëve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri në orën 15:00 nëpër qendrat e votimeve në gjithë Kosovën kanë votuar 27 për qind apo 456 mijë e 347 qytetarë.
Komuna e Zveçanit radhitet e para me daljen më të madhe të qytetarëve në votime. 56,91 për qind apo 3 mijë e 915 e qytetarëve kanë votuar në këtë komunë.
Deri tani, komunat me shumicë serbe vazhdojnë të kenë përqindjen më të madhe të qytetarëve që kanë shfrytëzuar të drejtën por votim.
8.2% e qytetarëve votuan deri në ora 11:00
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se deri në orën 11:00 kanë votuar 8.2 për qind e qytetarëve.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se procesi zgjedhor është duke vazhduar i qetë dhe pa incidente që mund të pengojnë procesin zgjedhor.
Numri i qytetarëve me të drejtë vote brenda Kosovës është 1 milion e 885 mijë e 448 votues.
Presidentja Osmani fton ‘sa më shumë’ votues në zgjedhjet e sotme
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka ftuar qytetarët që të votojnë ‘në numër sa më të madh’ në zgjedhjet lokale që po mbahen sot.
“Sot qytetarët tanë votojnë për kualitetin e jetës së tyre, votojnë për komunat e tyre, për udhëheqësin që do ta determinojë se si në katër vitet e tyre do të jetë jeta në komunat ku ata jetojnë. Prandaj i ftoj në numër sa më të madh të marrin pjesë në këtë proces zgjedhor,” ka thënë Osmani.
Ajo sot votoi në qendrën e votimit në Fakultetin Teknik, derisa bëri thirrje që të respektohen masat anti-Covid.
Zgjedhjet Lokale 2021
Në Kosovë sot po zhvillohet votimi në zgjedhjet lokale në 38 komuna të vendit.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për kryetarë të komunave të Kosovës janë certifikuar 166 kandidatë. Në garën për asamblistë në kuvendet e të gjitha komunave janë certifikuar 5,198 kandidatë.
Qendrat e votimit janë hapur në ora 07:00 dhe pritet të mbyllen në ora 19:00.
Ambasada amerikane në Prishtinë ka bërë thirrje që të votohet dhe të “mos humbet mundësia që zëri yt të dëgjohet”.
“Vendimet (e kryetarëve) qofshin ato duke u dhënë prioritet shkollave, transportit publik, mbledhjes së mbeturinave apo projekteve tjera, ndikojnë në kualitetin e jetës së përditshme”, ka thënë kjo Ambasadë përmes një postimi në Twitter.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se në orën 07:00 janë hapur të gjitha vendvotimet, transmeton REL.
Sipas vëzhguesve, 96 për qind e Qendrave të Votimit dhe vendvotimeve janë dezinfektuar para hapjes ndërsa udhëzimet si të votohet sigurt duke respektuar masat anti-COVID-19 në fuqi janë vendosur në 95 për qind të Qendrave të Votimit në nivel vendi.