Franca dhe Gjermania kanë propozuar rimëkëmbjen e ekonomisë së Bashkimit Evropian përmes një financimi me borxhe të përbashkëta të shteteve në vlerë prej 500 miliardë euro.
“Është kriza më e rëndë, para së cilës ndodhet Bashkimi Evropian në historinë e tij. Një krizë e tillë kërkon edhe përgjigje përkatëse”, tha kancelarja Merkel pas videokonferencës së përbashkët me Presidentin Macron.
Siç transmeton DW, Kancelarja Angela Merkel dhe Presidenti Emmanuel Macron ranë dakord për fondin e rindërtimit të BE, apo instrumentin e rindërtimit, siç quhet ai ndryshe. Fondi i rindërtimit do të financohet me obligacione, me mjete financiare që Komisioni Evropian do t’i marrë borxh në treg.
Kush përfiton nga mjetet për rindërtimin?
Presidenti francez tha se fondet do të shkojnë në “sektorët dhe zonat më të goditura”. Nga shtetet, përfituesit kryesorë pritet të jenë shtetet e Evropës Jugore si Spanja dhe Italia. Këto shtete janë goditur edhe ekonomikisht më fort nga pandemia. Por të goditura rëndë janë edhe Franca, Portugalia dhe Greqia, për shkak të mbylljes së degës së turizmit, shumë të rëndësishme për ekonomitë e tyre.
Lexo më shumë këtu