Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e ka vlerësuar si thelbësor ndërmjetësimin e BE-së në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Mosmarrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës është çështje e sigurisë evropiane, prandaj është qenësore që Bashkimi Evropian të udhëheqë ndërmjetësimin mes dy palëve në mënyrë që të përfundojë në të mirë”, ka thënë Macron gjatë Samitit të Sofjes, transmeton Koha.net.
Në këtë samit, që u mbajt në kuadër të Procesit të Berlinit, e që u bashkëkryesua nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, liderët e shteteve u pajtuan që të krijojnë treg të përbashkët rajonal dhe po ashtu të adoptojnë politikat e gjelbra.
Macron ka përmendur edhe zotimet për të cilat shtetet e Ballkanit duhet t’u përmbahen. Sipas tij, Ballkani duhet të forcojë bashkëpunimin e ndërsjellë të shteteve, të përshpejtohen reformat në sundim të ligjit dhe qeverisje ekonomike, dhe të luftohet terrorizmi.