Qeveria e Malit të Zi ka sqaruar pse i është vendosur shtetit të Kosovës fusnota në ftesën për pjesëmarrje në një samit gjatë muajit tetor.
Nga Ministria e Administratës Publike dhe Shoqërisë Digjitale të Malit të Zi kanë thënë për REL se “organizimi është në përputhje me rregullat për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale”.
Ftesa për pjesëmarrje të Kosovës i është dërguar ministres së ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Gjatë javës, Radio AntenaM publikoi një faksimil që tregonte se në ftesën e dërguar për Kosovën, emri i shtetit ishte shënuar së bashku me fusnotë.
“Ftesa e dërguar ministres së Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli nuk ka shkelur protokollin diplomatik dhe praktikat më të mira multilaterale”, kanë thënë nga Ministria e Administratës Publike dhe Shoqërisë Digjitale e Malit të Zi.
Nga Ministria e Ekonomisë së Kosovës nuk kanë komentuar deri më tani lidhur me këtë ftesë.