Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, njoftoi të shtunën se është arritur marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentetet e qytetarëve kur ata kalojnë pikat kufitare mes dy vendeve.

Borrell tha se “Serbia është pajtuar që të heqë dokumentet për hyrje-dalje për qytetarët me letërnjoftime të Kosovës dhe Kosova është pajtuar që të mos lëshojë dokumente të tilla për qytetarët që posedojnë karta të identitetit të Serbisë.”

“Serbët e Kosovës, por edhe të gjithë qytetarët, do të mund të lëvizin lirshëm mes Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre”, ka sqaruar Borrell, transmeton REL.

Për këtë, diplomati evropian ka falënderuar Presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Ndërkohë, i dërguari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak ka falënderuar Shtete e Bashkuara për përkrahjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Në reagimin e tij, Kryeministri Kurti tha se tha se qytetarët e Kosovës pas kësaj marrëveshje “me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga shteti ynë, do të mund të kalojnë pa pengesa, ngarkesa e vonesa kufirin me Serbinë në të gjitha vendkalimet kufitare.”

Kurti gjithashtu tha se “fryma e bisedimeve parimore e të barabarta në Bruksel është reciprociteti.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *