Gjatë ditës së djeshme, deputetët e parlamentit gjerman diskutuan për zgjatjen e misionit të ushtarëve gjermanë të KFOR-it në Kosovë.

Ndër të tjera, në debat u qartësuan qëndrimet e partive, ku dy partitë e koalicionit, Unioni Kristian-Demokrat/ Unioni Kristian-Social (CDU / CSU) dhe Partia Socialdemokrate (SPD), si edhe liberalët (FDP) dhe Të Gjelbrit (Grüne) do të votojnë pro zgjatjes së mandatit.

Siç transmeton DW, këto katër parti e refuzojnë kategorikisht edhe këmbimin territorial si zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë, siç doli në pah nga deklaratat e folësve të tyre.

“Qëllimi është që të largohemi nga zgjidhjet me kufij, të cilat janë parashtruar në tryezë jo vetëm nga palët, por edhe nga të tjerë, që duan të ushtrojnë ndikim atje. Por kjo do të arrinte vetëm një gjoja-përparim, nëse do të quhej përparim, duke pasur parasysh gjendjen e atjeshme. Lojëra me ide të tilla vetëm sa e shtyjnë zgjidhjen për problemet komplekse dhe nuk çojnë askund vetëm se në një rrugë qorre”, tha Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas.

Ndërkohë, Anton Friesen nga Alternativa për Gjermaninë (AfD), e quajti “përrallë” angazhimin për një Kosovë shumëetnike.

“Përrallën e një Kosove shumëetnike paqësore nuk e besojnë as ata që e shpërndajnë këtu”, tha Friesen.

“Në vend që të vazhdohet me këto gënjeshtra të përjetshme, qeveria gjermane do të bënte mirë të angazhohej për një këmbim territoresh, në mënyrë që serbët në Kosovën e Veriut të mbrohen në kuadër të shtetit të tyre, dhe zonat shqiptare të prirura për destabilizim në jug të Serbisë, të stabilizohen duke u bashkuar me territorin e Kosovës”.

Lexo më shumë këtu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *