Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e saj izraelit Gabriel Ashkenazi.
Duke e cilësuar si “telefonatën e parë historike”, ajo ka treguar se për çfarë është biseduar.
“Diskutuam mbi rëndësinë e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit dhe ndikimin e madh që ka kjo marrëdhënie për të dy vendet tona, e ndërtuar mbi bazat e miqësisë së jashtëzakonshme midis popujve tanë paqedashës”, ka shkruar, ndër të tjera, Haradinaj-Stublla në faqen e saj në Facebook.
Njohja reciproke midis Kosovës dhe Izraelit është e përfshirë në një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator.