Qeveria e Kosovës ka miratuar një vendim të ri në lidhje me masat parandaluese ndaj përhapjes së Covid-19.

Në njoftim thuhet se “pas analizës së situatës epidemiologjike në vend, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka pranuar rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për ndërmarrjen e masave të reja, me qëllim të parandalimit të përhapjes së infeksionit COVID-19”.

Një nga pikat e vendimit thotë: Duke filluar nga ora 22:30 deri në orën 05:00, ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre në komunat: Prishtinë, Prizren, Pejë, Podujevë, Gjakovë, Ferizaj, Lipjan, Drenas, Vushtrri, Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë Kosovë dhe Shtërpcë.

Qytetarët e moshuar (mbi moshën 65 vjeç) dhe qytetarët me sëmundje kronike (diabet, hipertension arterial dhe sëmundje zemre, sëmundje kronike të mushkërive, pacientët me sëmundje të veshkave, pacientët me imunitet të suprimuar, pacientet onkologjik etj.) mund të dalin jashtë në mjedise publike vetëm në orët e hershme të mëngjesit (prej orës 05:00-10:00) dhe orët e mbrëmjes (prej orës 18:00-21:00).

Gjithashtu, ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 5 personash në sheshe publike, në parqe etj. Ndalohen të gjitha tubimet publike, duke i përfshirë ahengjet familjare private. Ndalohen veprimtaritë rekreative, kulturore dhe sportive në mjedise të mbyllura dhe të hapura në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë shkollat e futbollit dhe sportet e tjera, trajnimet e të gjitha lëmive etj. Lejohen vetëm fitneset, pishinat e mbyllura dhe sportet individuale, në përputhje me Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19.

Vendimin e plotë me të gjitha masat e reja mund ta lexoni duke klikuar këtu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *