Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut është miratuar ligji për shtetësi, përmes të cilit synohet zgjidhja e problemit të shtetësisë për qytetarët shqiptarë.
Ligji parashikon që kërkuesit e shtetësisë të mund të dëshmojnë se kanë jetuar në vend duke dorëzuar dokumente personale, certifikatë të lindjes, librezë pune, fletë-pronësi, fatura për obligimet komunale, librezë shëndetësore, tatime të paguara si dhe disa dokumente të tjera, të cilat deri tani nuk pranoheshin si dëshmi.
“Shfrytëzoj rastin që të falenderoj në emrin tim personal, në emër edhe të grupit parlamentarë të ASH-AAA të gjithë deputetët të cilët e përkrahën dhe e votuan këtë ligj, sepse në fund të fundit e dëshmuam që jetojmë me problemet me të cilat përballen qytetarët. Dhe, kjo do të jetë një bazë e mirë në mënyrë që të arrihet edhe kjo e drejtë e këtyre qytetarëve që u është mohuar me dekada të tëra”, tha kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, transmeton Euronews Albania.
Të premten, Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi ka nënshkruar aktin e miratimit të Ligjit për shtetësi. Xhaferi në takimin me gazetarët u shpreh se “presidenti nuk ka arsye të mos e dekretojë Ligjin për shtetësi”.