Duke pritur lejimin e përdorimit të vaksinave të para kundër Covid-19, Komisioni Evropian ka miratuar të enjten strategjinë për vaksinimin masiv brenda shteteve të Bashkimit Evropian.

Kjo strategji kërkon që vendet anëtare të koordinohen në procesin e vaksinimit. Ato duhet të përgatisin stafin e duhur profesional, mjetet e transportit për vaksinat me paisje dhe kushte specifike dhe të ketë një fushatë të informimit të qytetarëve për dobitë dhe rreziqet eventuale të vaksinës, në mënyrë që të rritet besimi i qytetarëve, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Komisionerja e BE-së për Shëndetësi, Stella Kyriakides, ka thënë se vaksina nuk do të sjell me automatizëm zgjidhjen e tërësishme të problemit, por gjithsesi, do të ndihmoj në kthimin e jetës normale për qytetarët.

Komisioni Evropian pret që edhe vendet e rajonit të Ballkanit të ndjekin strategjinë e ngjajshme dhe të vazhdojnë bashkëpunimin me Bashkimin Evropian, siç kanë bërë që nga fillimi i pandemisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *