Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, kërkon që Bashkimi Evropian të jap një shpjegim se si mund të rezultoj në njohje reciproke dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, pas formimit të qeverisë së re serbe.
Përmes një shkrimi në Facebook, Mustafa ka theksuar se gjatë betimit të ministrave në qeverinë e re të Serbisë ata thanë se do të jenë të përkushtuar për ruajtjen e “Kosovës e Metohisë brenda Republikës së Serbisë”.
“Shtrohet pyetja si konvergjon dialogu për marrëveshje gjithëpërfshirëse që rezulton me njohje reciproke me këtë zotim të qeverise serbe! A mundet BE të jap shpjegimin e saj?”, ka pyetur Mustafa.
Kreu i LDK-së gjithashtu tha se kuptimi i dialogut po humbet.
“Me sjelljet e Sebisë, në njërën anë dhe të BE-së, në anën tjetër, dialogu po e humb kuptimin. Sa po rrjedh koha, ai më shumë po shndërrohet në instrument të Serbisë për të blerë kohë për ti vënë në harresë krimet e saj”, ka shkruar Mustafa.