Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka konfirmuar se komuna që ai drejton, komuna e Bujanovcit dhe ajo e Medvegjës kanë pranuar ndihmën prej 500 mijë euro të ndarë nga Qeveria e Kosovës drejtuar nga Albin Kurti.
“Ne sot kemi pranuar në nën llogari tona 200 mijë euro për komunën tonë. 200 mijë euro janë ndarë edhe për komunën e Bujanovcit dhe 100 mijë euro për komunën e Medvegjës. Këto mjete i kemi dedikuar për një projekt që do të quhet ‘Presheva 2020’”, ka thënë Arifi për Klan Kosova.
Ai theksoi se kjo ndihmë është e para që një Qeveri e Kosovës ka dhënë për Preshevën.
“E para pas 20 vjetëve, Qeveria Kurti i ka dhënë këtë ndihmë me 500 mijë euro, aq sa ka pasur mundësi, dhe i ka ndejtë afër vëllaut. Tani në këtë kohë krize kjo ndihmë është e mirëseardhur”.