Qeveria e Gjermanisë e ka ritheksuar se ndryshimet e kufijve në vendet e Ballkanit mund të jenë të rrezikshme dhe mund të rikthejnë konfliktet.
Pas ministrit të jashtëm gjerman, të premten ka qenë zëdhënësi i kancelares gjermane Steffen Seibert që ka folur rreth rrezikut të kësaj ideje.
“Ndryshime të tilla kufijsh mund të rrisin paqendrueshmërinë e rajonit, të krijojnë tensione të reja dhe deri në rikthimin e konflikteve të së kaluarës. Si qeveri, ne vazhdojmë të promovojmë rrugën e integrimit evropian e transantlantik të vendeve në rajon, bazuar në demokraci, në shtetin e së drejtës dhe në multietnicitet”, ka thënë Seibert për DW.
Ai ka shtuar se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të vijojnë axhendën e reformave.