Më 12 qershor të vitit 1999, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR.

Kështu, iu dha fund luftës ndërmjet forcave ushtarake dhe policore të Serbisë dhe kryengritjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hyrja e ushtarëve të NATO-s hapi rrugën e kthimit në shtëpitë e tyre refugjatëve kosovarë.

Sot, në 21 vjetorin e kësaj dite, Kryeministri Avdullah Hoti tha se duhet t’i jemi falënderues partnerëve ndërkombëtarë.

“Është ditë e veçantë si shumë ditë tjera për popullin e Kosovës, por kjo e ditës së sotme vërtetë është e veçantë sepse këtë ditë e kemi parasysh entuziazmin dhe emocionet që i kemi përjetuar në ato ditë të qershorit kur trupat e NATO-s futeshin në Kosovë”.

“Ajo është memoria jonë si qytetarë që duhet të mbajmë mend gjithmonë duhet të jemi falënderues ndaj partnerëve tanë ndërkombëtarë”, tha Hoti, transmeton Gazeta Express.

Ndërkohë, ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, ka kujtuar hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë duke falënderuar ushtarët e Gjermanisë.

“Në këtë ditë, 21 vjet më parë, NATO i dha fund një konflikti të tmerrshëm. Falënderues për më shumë se 50 mijë ushtarë të Gjermanisë që kanë shërbyer deri tash këtu. Përkulem para të gjitha viktimave. Ata na kujtojnë atë që është arritur nga ajo kohë, por edhe obligimet që duhet përmbushur. Kemi qëndruar dhe jemi për një shtet demokratik, multi-etnik, sundim të pavarur të ligjit, shërbime publike të pakorruptuara për të gjithë qytetarët, ekonomi të lirë, politika që i shërbejnë shtetit dhe njerëzve, media të pavarura kritike, liritë elementare dhe jo një shtet si dhuratë për disa”, ka shkruar Heldti në postimin e tij në Twitter.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *