Të hënën ka filluar në Hagë gjyqi ndaj ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe tre ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Thaçi u deklarua i pafajshëm ndaj akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të pafajshëm ndaj të gjitha akuzave janë deklaruar edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.  

Të katër ish-krerët e UÇK-së po përballen në Hagë në Gjykatën Speciale me akuza që përfshijnë vrasje, trorturë dhe zhduke me forcë të supozuara që janë kryer gjatë periudhës së luftës në disa pjesë të Kosovës dhe në pjesën veriore të Shqipërisë.

Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, tha se procesi gjyqësor, duhet të përqendrohet në atë që të zbulohet e vërteta dhe po ashtu është e rëndësishme “që të pranohet faji”.

“Ata kanë të drejtën që të zbulohet e vërteta, të dëgjohen dëshmi dhe të pranohen vuajtjet që kanë kaluar dhe përvojat që kanë kaluar”, tha ai.

Sipas tij, për viktimat shqiptare janë bërë përpjekje “që të turpëroheshin dhe të mos flisnin”, por sipas tij kjo nuk ka funksionuar.

Prokuroria tha se UÇK-ja, përmes komunikatave dhe vendimeve të tjera, shënjestroi ata që i konsideronte kundërshtarë. Sipas Prokurorisë, UÇK-ja ka ndaluar paligjshëm mbi 400 persona dhe të paktën 102 prej tyre kanë vdekur, transmeton REL.

Në aktakuzën e Prokurorit të Specializuar ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, përmenden 40 lokacione ku dyshohet se u kryen krime.

Prokuroria pretendon katër ish-krerët e UÇK-së dhe ish-pjesëtarë të tjerë, kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.

Prokuroria tha se të pandehurit kanë “personalisht përgjegjësi penale” për dhjetë pikat e aktakuzë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *