Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë të hospitalizuar 36 persona të infektuar me COVID-19.
Valbon Krasniqi, infektolog në Klinikën Infektive, tha për Radion Evropa e Lirë se shumica e pacientëve janë në gjendje stabile.
“Për momentin në Klinikën Infektive kemi 36 pacientë me COVID-19, 29 prej tyre kanë gjendje shëndetësore stabile, ndërsa katër pacientë janë edhe me oksigjenoterapi, dhe tre pacientë tjerë janë në gjendje më të rëndë dhe duke marrë trajtimin e nevojshëm në repartin intensiv të Klinikës Infektive. Pacientët që janë në kujdes intenziv, janë në dializë të rregullt”, tha ai.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetësisë Publike në Kosovë nga data 8 shkurt deri më më 03 maj 2020, janë testuar gjithsej 8.287 mostra të dyshimta me koronavirusin e ri dhe prej tyre pozitive rezultojnë 851 raste, 25 pacientë kanë vdekur dhe 381 janë shëruar.