Maqedonia e Veriut shpalli të martën krizë energjetike, por nuk janë paraparë masa kufizuese për furnizimin tek qytetarët.

Kjo gjendje krize e shpallur do të zgjas 30 ditë, derisa autoritetet kanë njoftuar se me këtë synohet përmirësimi i funksionimit të kompanive energjetike.

“Gjendja e krizës energjetike sillet për të përmirësuar funksionimin e kompanive energjetike, për të rritur likuiditetin e tyre dhe për të mos miratuar asnjëherë masa kufizuese që do të ndikonin negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve,” tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Siç transmeton REL, qeveria ka njoftuar se rreth 4 miliardë denarë (rreth 65 milionë euro) do të transferohen nga buxheti te kompanitë energjetike, për të kapërcyer, siç tha, të gjitha rreziqet në sektorin e energjisë dhe për furnizim të rregullt me energji elektrike.

Ndërkohë, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut bëri të ditur se përkundër krizës energjetike dhe rritjes së çmimeve globale, tani për tani nuk pritet përkeqësim i gjendjes ekonomike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *