Fushata zgjedhore e partive politike në Kosovë ka vazhduar edhe gjatë ditës së dielë, një javë para ditës së zgjedhjeve.

Gjatë tubimit në Drenas, kandidati për kryeministër nga LDK, Avdullah Hoti është shprehur “i bindur” se qytetarët do ta votojnë atë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Ne e kemi bërë këtë shtet, hap pas hapi. Edhe nuk e lëmë ta nëpërkëmbë askush tjetër. Jo me megafona as duke bërtitur, as duke djegur kuvendin dhe qeverinë, por duke ju treguar me punë që edhe atyre iu bie mirë të bëhen me neve”, ka thënë ndër të tjera Hoti, transmeton Klan Kosova.

Gjatë ditës, Hoti me bashkëpartiakët e tij ka vizituar edhe rajonin e Mitrovicës dhe fabrikën Vipa Chips. (Kliko këtu për më shumë)

Ndërkohë, kreu i VV-së Albin Kurti bashkë me Vjosa Osmanin kanë zhvilluar fushatë sot në Gjakovë dhe Deqan. Gjatë kësaj vizite, Kurti u zotua për vende pune, drejtësi e zhvillim në bujqësi.

Kurti sot ka vizituar edhe Shtërpcën dhe rajonin e Prizrenit. (Kliko këtu për më shumë)

Nisma Socialdemokrate mbajti tubim sot në Ferizaj. Aty u prezantuan kandidatët e kësaj partie për deputetë nga komuna e Ferizajt, Kaçanikut, Hanit të Elezit dhe Shtërpcës.

“Kjo zonë heroike në kohërat më të vështira për vendin është rreshtuar për t’ia mundësuar frymimin e lirë Kosovës, dhe tani po rreshtohen krah Nismës për ta mbrojtur atë sakrificë dhe mund që është bërë për Kosovën që duam”, thuhet ndër të tjera në përmbledhjen e postuar në Facebook. (Kliko këtu për më shumë)

Gjatë ditës, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj zhvilloi fushatë në Malishevë.

“Ne kemi nevojë për përvojën e UÇK-së për të forcuar Ushtrinë dhe për të mbrojtur qytetarët dhe territorin tonë”, është thënë ndër të tjera gjatë tubimit. (Kliko këtu për më shumë)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *