Edhe kur është më së vështiri, sillu si njeri 

Fahrija gjatë kohës së luftës i kishte vetëm 11 vjet. Shumë  gjëra nuk i kujtohen, por fytyrën e një gruaje kurrë nuk do ta harroj. 

“Ne kemi jetuar në Prishtinë, por gjatë luftës na është dashtë me dal nga Prishtina dhe kemi shkuar në fshat. Në fshat kemi qëndruar një muaj dhe pastaj jemi kthyer. Kemi ardhur në qytet, prindërit janë frikësuar me dal në qytet për të blerë ushqim dhe gjëra tjera, prandaj edhe pse kam qenë fëmija më i vogël në shtëpi, kam dal unë dhe kam shku tek një furrë me ble bukë, por atje nuk kemi mujt me marr bukë sa kemi dasht. I kemi marr dy bukë. Gjithmonë kam shkuar me një shoqe timen dhe bukët që i merrnim i fshehnim në një vend që të kthehemi përsëri të marrim bukë. Një ditë na kishte pas vërejt një zonjë e komunitetit serb. Ajo ka ardh dhe na ka pyet: “Pse po i fshehni bukët?”. I kam thanë që jemi familje e madhe dhe nuk na dalin dy bukë dhe kemi nevojë të marrim më shumë bukë” – tregon Fahrija. 

Pasi njihen me gruan, Fahrija dhe shoqja e saj më nuk kanë pasur frikë. Kanë qenë shumë të sigurtë dhe gjithmonë iu kanë afruar asaj. 

“Ajo n`a ka thënë hajdeni afër meje gjithmonë mos u tutni. Ne kemi shkuar të nesërmen dhe çdo ditë tjetër në të njëjtin kohë dhe çdo herë kemi takuar atë grua. Ajo na ka marr afër, na ka përkëdhel, ka hyr në furrë ka marr bukë edhe për veti e edhe për ne, ka ndodh s`di sa herë, jo njëherë por disa herë duke na thënë mos u frikësoni se kjo kohë do të kalon shumë shpejt. Kemi qenë më të sigurta. Ne si fëmijë sa herë e shihnim atë zonjën se është tek furra ndiheshim më të sigurta” – shpjegon Fahrija. 

Për fat të keq, kohët e këqija të pasluftës shoqen e Fahrijes e kanë hedh në një vend tjetër, në një vend të panjohur. Asnjëherë më nuk janë takuar. 

“Jo nuk kemi pas rast që të takohemi më as edhe njëherë. Ne kemi ikur edhe nga Prishtina, kemi shkuar në Maqedoni. Kur jemi kthyer pas luftës nuk kam pas kontakt me të, por edhe tash sa herë i bie asaj rrugës tek furra, më kujtohet ku e ka pas banesën dhe më kujtohet figura e saj. Por nuk ka ndodh kurr ma që t`a shoh” – tregon ajo. 

Fahrija sot është nënë e fëmijëve të rritur, dhe tani më mirë e kupton se sa zemërmirë ka qenë ajo zonja. Ajo thotë se ka mësuar shumë nga ajo. 

“Jo, duhet të ndihmojmë, s`ka lidhje çfarë komuniteti është, nëse është njeri dhe ka nevojë për ndihmë atëherë gjithmonë duhet t`i ndihmojmë” – thotë Fahrija. 

Derisa ajo flet me lot në sy, thotë se do të kishte shumë dëshirë që prapë ta takoj atë grua, dhe fëmijët e saj tashmë të rritur i thonë “hajde mami t`a gjejmë atë grua”.   

Atë që e kemi bërë për të tjerët nuk harrohet

Dëgjo rrëfimin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *