Edhe kur është më së vështiri, sillu si njeri 

Arbenita ka lindur në Llashticë, një fshat shumë etnik në komunën e Gjilanit. Fshati edhe sot është i banuar nga të dyja komunitetet dhe Arbenita me kënaqësi e kujton jetën e përbashkët që e kishin dikur.

Por, për shkak të luftës së vitit 1999 familja e saj u detyrua që të largohet nga shtëpia.

Pas dy dekadave, ajo çka i ka mbetur në mendje asaj është fytyra e një gruaje të vjetër serbe e cila kishte dal pranë shtëpisë së vet duke i përcjell të gjithë fqinjët që ishin nisur për diku, por pa e ditur se ku po shkojnë. Me lot në sy dhe duke ju shpërnda bukë që të kenë me veti në rrugë, thotë Arbenita. 

“Po, sepse kur na kanë larguar prej shtëpive kemi qenë shumë të frikësuar. Disa kemi qenë në këmbë e disa nëpër traktorë dhe, duke u larguar, një grua serbe doli afër dyerve të veta, doli me dy bukë në dorë dhe njërën ma dha mua dhe tjetrën e mori dikush tjetër, dhe në atë rast jam ndje shumë mirë kur ma ofroi atë ndihmë” – tregon Arbenita. 

Duke ikur nga fshati, Arbenita ka mbet larg duke shikuar atë grua me qëllim që ta mbaj në mend fytyrën e saj në mënyrë që kur të kthehen ta takoj dhe ta falënderoj. Megjithatë, fati deshi që Arbenita asnjëherë mos ta takoj atë heroinën e saj. 

“Jo nuk kemi pas kontakt”.

Pse?

” Nuk kemi pas kontakt  sepse nuk jemi takuar asnjëherë, sepse besoj që është larguar nga fshati ajo grua serbe dhe për atë shkak nuk jemi takuar më”.

A keni menduar në ato momente, kur ajo ju ka ndihmuar juve, se në atë mënyrë po e rrezikon edhe jetën e vet? 

“Po, e kam menduar dhe besoj që shumë e ka rreziku jetën e vet sepse më kujtohet shumë mirë një fjalë kur na ka thënë se ky rast që po ju ndodh sot juve nesër do të na ndodh edhe neve”.

Arbenita tregon se ndihma e asaj gruaje tregon se nuk janë të gjithë njerëzit njësoj dhe se nuk duhet të bëjmë ndarje në bazë të fesë dhe nacionalitetit por në bazë të sjelljes njerëzore që tregojnë.

Për këtë arsye, ajo sot fëmijët e vet i mëson që të sillen në mënyrë njerëzore dhe si t’i ndihmohet të tjerëve pa marr parasysh përkatësinë nacionale. 

Shoh se keni emocione kur folni për atë kohë dhe mesiguri ju kujtohen ato kohë të rënda, por tash si po e ndjen veten kur e di se në momentet më të vështira të ka ndihmuar dikush? 

“Shumë mirë, shumë po e ndiej vetën mirë”.

A do të kishit vepruar edhe ju në të njëjtën mënyrë?

“Po, do të kisha vepru në të njëjtën mënyrë, po nëse kishte pas nevojë për ndihmë për të shkuar, i kisha ndihmu” – përgjigjet Arbenita. 

Po të kthehemi në të kaluarën dhe t’i dëgjojmë politikanët që flasin vetëm për konflikte dhe mosmarrëveshje që kishte mes shqiptarëve dhe serbëve, na del se edhe atëherë kishte të tillë që mendojnë dhe veprojnë ndryshe.

Kishte bashkëpunim dhe mirësjellje të dyanshme midis komuniteteve, e që shumë kujt kjo nuk i pëlqente dhe për këtë arsye Arbenita e ka një mesazh që sa ma shumë të rinjve të ju flitet për anën pozitive të asaj kohe me të vetmin qëllim: se në Kosovë ka vend që të gjithë të jetojnë së bashku. 

Atë që e kemi bërë për të tjerët nuk harrohet

Dëgjo rrëfimin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *